Presidenti rus Vladimir Putin ka konfirmuar rifillimin e sulmeve ajrore kundër Ukrainës, duke e justifikuar me veprimet e forcave ukrainase në rajonet kufitare të Rusisë. Në një deklaratë për mediat ruse, Putin theksoi se Moska mbetet e hapur ndaj nismave për paqe, por kërkon një qasje të ngjashme edhe nga ana e Kievit.
“Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm për paqe. Presim që edhe pala tjetër të tregojë të njëjtin qëndrim,” deklaroi Putin, ndërsa komentonte mbi propozimet për ndalimin e sulmeve mbi infrastrukturën civile.
Putin përmendi konkretisht një goditje ruse ndaj një qendre konferencash në Universitetin e Sumyt, të cilën e cilësoi si një objekt civil, por tha se aty po zhvillohej një ceremoni për personat që kishin marrë pjesë në sulme kundër rajonit të Kurskut. “Ata që morën pjesë në krime ndaj qytetarëve tanë, morën përgjigjen që meritonin,” u shpreh ai.
Ndërkohë, Kievi ka deklaruar gatishmërinë për një ndalim të përkohshëm të sulmeve ndaj infrastrukturës civile për një periudhë 30-ditore. Uashingtoni gjithashtu është shprehur pro një zgjatjeje të armëpushimit të fundit 30-orësh të shpallur nga Moska, i cili përfundoi të shtunën në mesnatë, por Kremlini nuk e zgjati atë.
Përpjekjet për një armëpushim më të gjerë vazhdojnë të hasin në mosbesim reciprok, pasi të dyja palët paralajmërojnë se ndalesat mund të përdoren si strategji për riorganizim ushtarak përpara rifillimit të përleshjeve.