Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, ka bërë të ditur se 35 persona janë evakuar në Katund të Ri dhe 55 të tjerë në Sukth, për shkak të përmbytjeve nga reshjet intensive. Evakuimet po vijojnë dhe pritet që të përfshijnë rreth 150 persona, të cilët janë akomoduar në dy hotele, pasi kapacitetet e kavallishencës dhe godinës së ushtrisë janë të ezauruara.
Sako foli edhe për vdekjen e punonjësit të komunales, 54-vjeçarit Astrit Hysenaj, i cili dyshohet se humbi jetën gjatë motit të keq, ndërsa ngjarja duket se ka ndodhur jashtë orarit të tij zyrtar të punës.
“Personi ka qenë në datën 6, nga ora 6 e mëngjesit deri në 10:30, dhe më pas është larguar. Familjarët kanë bërë denoncimin më 7 janar, pasi nuk e gjetën. Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur jashtë orarit zyrtar të punës,” – tha Sako.
Kryebashkiakja theksoi se prioritet absolut mbetet ruajtja e jetës së banorëve, ndërsa pas menaxhimit të emergjencës do të bëhet evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.
“Kemi punuar deri në orët e vona për menaxhimin e situatës në Durrësin e Ri. Evakuimi dhe shpëtimi i jetëve janë prioritet,” – shtoi Sako.

