Ditën e sotme Ministria e Arsimit dhe Sportit, publikoi datat e provimeve kombëtare të arsimit bazë për vitin shkollor 2024-2025.
Në një postim të bërë në rrjetet sociale Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, teksa bëri publike datat e provimeve ju uroi suksese nxënësve të shkollave 9-vjeçare.
Referuar postimit të MAS, provimi i Gjuhës Shqipe, do të zhvillohet më 19 qershor, Gjuha Amëtare për nxënësit e pakicave kombëtare më 20 qershor, Matematika më 25 qershor dhe Gjuha e Huaj më 30 qershor.
Gjuhët e huaja që do të jepen si provim i detyruar janë Anglisht, Frëngjisht, Italisht dhe Gjermanisht.
Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët, trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor A2.
Kujtojmë se si çdo vit provimet fillojnë në orën 10:00 dhe çdo provim zgjat 2 orë e 30 minuta.

