Një nga paradokset e nënvlerësuara të mjekësisë moderne është vazhdimësia e marrjes së ilaçeve edhe kur ato nuk janë më të nevojshme, shkruan salute.eu. Mijëra pacientë përdorin çdo ditë barna që janë menduar për trajtime afatshkurtra, por që vazhdojnë për muaj apo edhe vite pa një indikacion të qartë klinik. Kjo sjell kosto të panevojshme, efekte anësore dhe rreziqe që askush nuk i ka parashikuar.
Sipas Armando Genazzanit, president i Shoqërisë Italiane të Farmakologjisë (SIF) dhe profesor në Universitetin e Torinos, ndër ilaçet që merren më shpesh pa arsye të fortë mjekësore janë gastroprotektivët, të përdorur për parandalimin e ulcerave. Po ashtu, benzodiazepinat që përdoren për trajtimin e pagjumësisë janë një tjetër kategori që shpesh vazhdohet pa nevojë reale.
Por pse këto terapi nuk ndërpriten? Genazzani shpjegon se shpesh receta fillon nga një specialist apo pas një shtrimi spitalor dhe më pas vazhdon thjesht nga inercia. Ka raste kur mjekët nuk arrijnë të verifikojnë të gjithë terapinë që pacienti po merr, sidomos kur ilaçi është përshkruar nga një koleg tjetër. Në anën tjetër, vetë pacientët, duke u ndjerë më mirë, vazhdojnë ilaçet duke besuar gabimisht se gjendja e tyre lidhet me marrjen e një “pilule magjike”.
Ky fenomen nënvizon rëndësinë e rishikimit periodik të terapive mjekësore dhe bashkëpunimin e ngushtë mes pacientëve dhe mjekëve për të shmangur trajtimet e panevojshme.


