Nëse prapaskenat e një sherri, që fillimisht dukej i thjeshtë në Palasë, nuk do të ishin raportuar me këmbëngulje nga mediat, gjithçka mund të ishte mbyllur me shpalljen në kërkim të Xhoni Spahos – një emër që mund të mos bëhej kurrë publik. Mundësia që ai të kishte ‘kopsitur’ çështjen përmes avokatëve, pa u bërë i njohur për publikun, është e lartë, siç ndodh rëndom në raste të ngjashme.
Incidenti ndodhi gjatë një nate ku këngëtari i njohur grek, Konstantinos Argiros, mbajti një performancë në lokalin e natës “Sin” në Green Coast, një ditë pasi kishte dhënë koncert në stadiumin “Dinamo” në Tiranë. Mbrëmja e 24 gushtit dhe ora e parë e mëngjesit të 25 gushtit u shoqëruan me një përplasje mes dy grupeve që po festonin nën tingujt e muzikës greke. Në mesin e tyre ishin Luçiano Koçeku, Fatmir Beja, Xhoni Spaho, Genti Baleci, Klajdi Cerri dhe Fatbardh Aliaj.
Gjithçka u përshkallëzua kur njëri prej të pranishmëve u lag me shampanjë, duke shkaktuar një sherr të përmasave të mëdha. Ngjarja përfundoi me dy të plagosur – Luçiano Koçeku dhe Fatbardh Aliaj – duke ngritur pyetjen nëse shampanja ishte vetëm një pretekst për një përplasje të mëparshme mes grupeve.
Ajo që bën përshtypje në këtë rast është reagimi i autoriteteve, që ishte i vonuar dhe i kufizuar. Emrat e të përfshirëve nuk u publikuan fillimisht, dhe duket se ngurrimi për të zbardhur të vërtetën lidhet me interesat e biznesit ku ndodhi konflikti, ose për të mbrojtur emrat e të përfshirëve. Kjo vonesë është e dukshme nga fakti që, pas përplasjes, vetëm shtetasi Xhoni Spaho u shpall në kërkim, ndërsa viktimat ndodheshin ende në spital.
Njoftimi i parë i Policisë së Vlorës për ngjarjen u dha vetëm pasi videoja e përleshjes u publikua në media, duke treguar qartë se dikush po tentonte të fshehte detajet e këtij incidenti. Hetimet vijuan dhe një tjetër person i përfshirë, Genti Baleci, u shpall në kërkim.
Në një moment të mëvonshëm, policia njoftoi për identifikimin e të tjerëve të përfshirë, ndërsa mediat zbuluan detaje të reja dhe emrat e të gjithë pjesëmarrësve në këtë përplasje.
Në fund të gjithë ngjarjes, mbetet e qartë se nëse nuk do të kishte një mbulim të vazhdueshëm nga mediat, shumë të vërteta do të kishin mbetur të fshehura nga syri i publikut. Kjo ngjarje ngre pyetje serioze mbi transparencën e institucioneve dhe trajtimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.