Partia Socialiste ka prezantuar mbrëmjen e sotme kandidaturën e Brunilda Mersinit për kryetare të Bashkisë Vlorë, gjatë një mbledhjeje të Asamblesë në qytetin bregdetar. Takimi u drejtua nga drejtuesi politik i qarkut, Blendi Çuçi, në prani të deputetëve dhe strukturave lokale të PS-së.
Mersini bëhet kështu gruaja e parë që përfaqëson PS-në në garën për drejtimin e Bashkisë Vlorë, një fakt që ajo e cilësoi si privilegj të veçantë, por edhe përgjegjësi të madhe.
“Është një nga vendimet më të vështira që kam marrë në jetë. Do të punoj me përkushtim për një qytet më të zhvilluar, modern dhe transparent. Bashkëpunimi me qytetarët do të jetë në qendër të çdo vendimmarrjeje,” deklaroi Mersini.
Ky zhvillim vjen në një periudhë ndryshimesh të shpejta në disa bashki të vendit: në Cërrik, kryebashkiaku Andis Hasalla u emërua Ministër i Bujqësisë; në Vlorë, Ermal Dredha dha dorëheqjen pas kritikave të forta nga kryeministri Rama; ndërsa në Tiranë, Erion Veliaj u shkarkua nga Këshilli Bashkiak me urdhër të kreut të qeverisë.

