Parlamenti ka miratuar me 100 vota pro dhe vetëm 1 kundër ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, në një votim ku PS dhe PD votuan në të njëjtin drejtim.
E vetmja votë kundër ishte e deputetit Redi Muçi. Ndryshimet u miratuan në kuadër të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe u shoqëruan me disa dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës.
Sipas rregullave të reja, seancat plenare nuk do të zgjasin më pas orës 22:00 dhe në rast se debati nuk përfundon, ato do të ndërpriten dhe do të vijojnë ditën pasardhëse.
Palët kanë rënë gjithashtu dakord për forcimin e kontrollit parlamentar, duke detyruar institucionet të përgjigjen ndaj kërkesave të deputetëve dhe duke garantuar që komisionet parlamentare të zhvillojnë seanca dëgjimore kur kërkohet nga opozita.
Në kuadër të marrëveshjes, janë hequr disa propozime të mëparshme të mazhorancës, përfshirë përshpejtimin e shqyrtimit të ligjeve të lidhura me BE-në dhe kufizimin e kohës së diskutimeve për deputetët, ndërsa është pranuar që institucionet të raportojnë në komisionet përkatëse dhe jo vetëm në një komision të vetëm.
Gjithashtu, është rënë dakord që masat disiplinore ndaj deputetëve të pezullohen në rast ankimi në Byronë e Kuvendit, duke shtuar elemente të reja balancimi në procedurat parlamentare.


