Site icon Informohu siç duhet

Protestat në Iran, konfirmon zyrtari: Të paktën 5 mijë të vrarë gjatë trazirave

Gardat e Revolucionit kërcënojnë protestuesit në Iran

Protesta në Teheran

Të paktën 5,000 persona kanë humbur jetën gjatë protestave të fundit në Iran, përfshirë rreth 500 anëtarë të forcave të sigurisë, ka deklaruar për agjencinë Reuters një zyrtar rajonal iranian, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Sipas zyrtarit, përgjegjës për shumicën e viktimave janë “terroristë dhe protestues të armatosur”, të cilët, sipas tij, kanë vrarë edhe civilë iranianë. Ai theksoi se përleshjet më të ashpra dhe numri më i lartë i të vrarëve janë regjistruar në zonat kurde të Iranit veriperëndimor, rajone ku veprojnë grupe separatiste dhe ku edhe në të kaluarën janë shënuar trazira të dhunshme.

Zyrtari shtoi se numri përfundimtar i viktimave “nuk pritet të rritet ndjeshëm”, duke akuzuar Izraelin dhe grupe të armatosura jashtë vendit se kanë mbështetur dhe furnizuar me armë protestuesit. Autoritetet iraniane kanë fajësuar shpesh aktorë të huaj për trazirat e brendshme, përfshirë Izraelin, rivalin kryesor të Republikës Islamike, i cili në qershor ndërmori sulme ushtarake kundër Iranit.

Ndërkohë, shifrat e publikuara nga organizatat e të drejtave të njeriut janë më të ulëta. Grupi HRANA, me seli në Shtetet e Bashkuara, raportoi se numri i të vrarëve ka arritur në 3,308, ndërsa 4,382 raste të tjera mbeten nën hetim. Sipas këtij grupi, janë konfirmuar mbi 24,000 arrestime.

Edhe organizata kurde për të drejtat e njeriut Hengaw, me seli në Norvegji, ka raportuar se disa nga përleshjet më të rënda që nga shpërthimi i protestave në fund të dhjetorit janë regjistruar në zonat kurde të Iranit veriperëndimor.

Exit mobile version