Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Irani “po shikon drejt lirisë, ndoshta si kurrë më parë”, duke theksuar se SHBA është e gatshme të ofrojë ndihmë. Deklarata u bë përmes një postimi në rrjetin social Truth Social.
Sipas burimeve, zyrtarë të administratës Trump kanë zhvilluar diskutime paraprake mbi mundësinë e një sulmi ndaj Iranit, nëse kjo do të konsiderohej e nevojshme për të zbatuar paralajmërimet e presidentit. Ndër opsionet e shqyrtuara përmendet edhe një sulm ajror në shkallë të gjerë kundër objektivave ushtarake iraniane. Megjithatë, një zyrtar ka theksuar se nuk ka konsensus për veprime konkrete dhe se deri tani nuk është ndërmarrë asnjë lëvizje ushtarake.
Mesazhi i Trump vjen në një kohë kur autoritetet iraniane po ashpërsojnë qëndrimin ndaj protestave më të mëdha antiqeveritare të dekadës së fundit. Garda Revolucionare ka deklaruar se ruajtja e regjimit është një “vijë e kuqe”, duke i atribuar trazirat “grupeve terroriste”.
Autoritetet iraniane kanë akuzuar gjithashtu Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për nxitjen e protestave dhe kanë arrestuar një shtetas të huaj, të dyshuar për spiunazh.


