Kryeministri Edi Rama e cilësoi shënjestrimin e hebrenjve dhe shkuljen e flamurit izraelit nga protestuesit si një akt që cenon një nga faqet më të ndritura të historisë shqiptare.
“Një vend pa besim është i pambrojtur dhe një demokraci pa besim është shesh për çdo përshesh. Fakti që për herë të parë Shqipëria përjetoi shijen e stërkeqe të ndasisë fetare, që u manifestua për turpin e të gjithëve ne, ishte drejtpërdrejt një orkestrimi.
Shënjestrimi i kombit hebre, që shkoi deri te shkulja e flamurit izraelit, nxiti edhe ata që ishin fizikisht rrotull dhe u shfrytëzuan nga një tufë e verbërish mendorë. Ky ishte një përdhunim publik i shumicës së shenjtë të familjeve shqiptare, që morën në mbrojtje hebrenjtë me jetën e tyre, duke i treguar Europës se një vend i vogël, i varfër dhe i dobët u bë busulla morale e një kontinenti.
As ndërhyrja e aktorëve të huaj shtetërorë, as sponsorizimi marramendës nuk e shpikën sekëlldinë që nxori “flamingot” në bulevard. Ata vetëm e shfrytëzuan atë sekëlldi dhe u përpoqën ta kthenin në një zjarr të pakontrollueshëm.
Pasojat u panë në bilancin e qershorit për turizmin, ku për herë të parë pas shumë vitesh rritja u ndal. Dua të jem po kaq i qartë: duke u treguar shqiptarëve që kjo po ndodhte, nuk kam akuzuar shqiptarët e sinqertë. As më ka shkuar dhe as më shkon në mend që reagimi im të jetë shpallja e protestuesve si armiq apo agjentë.
Përtej rritjes së domosdoshme të kapaciteteve mbrojtëse teknologjike, duhet ta shtrijmë reagimin edhe te adresimi i atij hendeku, duke shpjeguar qartë dhe me empati për njerëzit”, tha Rama .


