Një projektligj i ri për funksionimin e administratës shtetërore synon të ndryshojë mënyrën e vendimmarrjes në ministri, duke ua hequr ministrave dhe sekretarëve të përgjithshëm barrën e firmave. Në vend të tyre, dokumentet dhe vendimet do të mbajnë firmën e drejtorëve të sektorëve përkatës.
Sipas Ministrisë së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, nisma synon rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e cilësisë së punës. “Objektivi është transferimi i vendimmarrjes në nivel menaxherial të mesëm, duke lehtësuar ngarkesën mbi ministrat dhe sekretarët e përgjithshëm, si dhe duke rritur përgjegjësinë në zinxhirin administrativ”, thuhet në relacionin shpjegues.
Megjithatë, ky ndryshim ka hapur diskutime nëse bëhet fjalë për një reformë të mirëfilltë apo një mekanizëm për të shmangur përgjegjësinë ligjore të titullarëve. Kritikët paralajmërojnë se në rast skandalesh apo aferash korruptive, përballë drejtësisë do të jenë drejtorët firmëtarë, ndërsa ministrat – që japin udhëzimet politike – mund të mbeten të paprekur.
Projektligji vjen në një kohë kur disa ish-ministra të qeverisë janë vënë nën hetim apo kanë përfunduar pas hekurave nga SPAK, çka ushqen dyshimet se nisma synon edhe të “qetësojë” kabinetin aktual përpara mandatit të katërt të ekzekutivit.


