Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim më aktorë të sipërmarrjes dhe sistemit bankar në vend për promovuar dhe diskutuar ecurinë e programit të iniciuar nga Qeveria, “Dyfisho Sipërmarrjen tëndë”.
Shefi i ekzekutiit, theksoi ky program ka për qëllim përkrahjen financiare të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për rritjen e tyre në një nivel tjetër. Me një tavan financimi prej 2 milionë eurosh, Rama theksoi se sipërmarrjet e mëdha janë të përjashtuara nga përfshirja në program.
“Ajo që ne synojmë me këtë program është që t’u japim krah ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen. Ato që janë të mesme të rriten dhe të bëhen thuajse të mëdha, ato që janë të vogla të bëhen të mesme”,- tha Rama.
Kreu i qeverisë vuri në pah rëndësinë themelore që ka përfshirja dhe gatishmëria e Bankës së Shqipërisë në implementimin e suksesshëm të programit “Dyfisho Sipërmarrjen tënde”.
“Ka qenë themelore që ne, nga ana jonë si qeveri e Shqipërisë, të kishim bashkëpunimin dhe vullnetin e Bankës së Shqipërisë dhe pastaj edhe të bankave të nivelit të dytë, që të paktën me fjalë na kanë garantuar që do të bëjnë pjesën e tyre si duhet për suksesin e këtij programi. Them të paktën me fjalë, sepse bankat janë futur në një zonë komforti të jashtëzakonshme, sepse, ndryshe nga të gjithë të tjerët që luftojnë për të fituar, bankat fitojnë pa luftuar”,- tha Rama.
Për perfeksionimin e programit, Rama tha se në vijim do të angazohen eskpertë ndërkombëtarë.
“Duke qenë se bankat kanë një kalvar të vjetër justifikimesh që i përdorin, dhe një ndër to është se planet e biznesit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nuk janë mjaftueshëm të arritura dhe bindëse, ne kemi angazhuar ekspertizë të padiskutueshme, që është Zyra e Kombeve të Bashkuara në Tiranë, përmes së cilës do të angazhojmë ekspertë ndërkombëtarë dhe do të kemi një grup të gatshëm për të asistuar bizneset që kanë ide interesante, të cilat kanë një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin për ta përkthyer në një projekt bindës për bankën. Dhe ky grup i gatshëm do të jetë në dispozicion të të gjithë bizneseve, ndërkohë Ministria e Ekonomisë do të bëjë punën e vet për të garantuar koordinimin midis subjekteve të biznesit dhe grupit të ekspertëve”,- tha Rama.
Për informimin i sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në vend për ekzistencën e këtij programi, Rama tha se do të realizohet një fushatë reklamimi në mënyrë kapilare në mbarë vendin.
“Është planifikuar një cikël takimesh në territor për të takuar bizneset e interesuara që të përfshihen në këtë program. Nuk është vetëm Ministria e Ekonomisë, këtu është një skuadër që ka objektiva të përbashkëta. Pa diskutim, Ministria e Financave ka qenë kyçe dhe dua të falënderoj edhe ministrin”,- tha Rama.
Rama theksoi se qeveria është gati që të shkojë deri në 1 miliard euro mbështetje.
“Është krijuar një kompani interesante prsh, me djem 30 vjeç e poshtë dhe që bëjnë çobanin. Ai që e ka krijuar më tha se punëtorë kam, idenë e kam, por donte më shumë para. Edhe në Fier ka një kompani, që merret me produkte kozmetike. Kanë të njëjtin problem, atë të financimit. Ka ndërmarrje dhe në fushën e teknologjisë. Edhe këto kanë nevojë për financim për t’u rritur, për t’u dyfishuar apo shumëfishuar. Programi ka një tavan prej 2 milionë eurosh, që është shumë e konsiderueshme dhe do ketë gjithë mbështetjen tonë në mënyrë sistematike. Do ngremë një Task Forcë, për të parë se ku programi ka nevojë për më shumë ndërhyrje nga ana ekonomike.
Njerëzit tashmë janë mësuar me suksesin dhe nuk bëjnë krahasim me të shkuarën. Jemi në një fazë të re të zhvillimit, ku qeveria ndihmon aty ku duhet. Ky është një instrument, që qeveria përdor, për të ndihmuar bizneset edhe psikologjikisht. Ne jemi gati të shkojmë deri në 1 miliard euro mbështetje. 1 miliard euro për sipërmarrjen e vogël dhe të mesme, që askush mos të thotë se nuk kam mbështetje financiare, për të bërë plan. Ama duhet të ketë plan. Këto janë para njësoj si ato që vijnë nga BE. Kushdo që ka një ide biznesi, të aplikojë e do marrë 2 milionë euro me kredi me interes vetëm 2-3 përqind”, u shpreh kreu i qeverisë.


