I dërguar me urgjencën e QSUT-së një ditë më parë, në masa të forta sigurie, i penduari Nuredin Dumani, është shtruar në reanimacion dhe po i nënshtrohet një kontrolli të plotë shëndetësor, përfshirë të gjitha analizat e nevojshme, për të kuptuar shkaqet e aritmisë së shkaktuar një ditë më parë.
Edhe ditën e sotme i penduari po ruhet me masa të forta policore, për shkak të statusit të tij. Ekipi mjekësor po kujdeset të kaloj në lupë të gjitha detajet shëndetësore, përfshirë edhe dyshimet për helmime të mundshme, po ashtu të ndikuara prej rrëfimeve të shumta të tij që zbardhën me dhjetëra ngjarje kriminale. Gjithsesi, deri në këtë fazë nuk ka ndonjë indicie të tillë.
Kush është Nuredin Dumani?
Nuredin Dumani u arrestua në mars të vitit 2022 në qytetin e Fierit gjatë një aksioni policor pak orë, pasi vetë ai kishte mbetur i plagosur në një shkëmbim me armë zjarri në aksin Elbasan-Peqin te kryqëzimi i Cërrikut. Nuredin Dumani, vrasës me pagesë, është bërë i penduar i drejtësisë dhe u ka treguar hetuesve ngjarjet kriminale ku është përfshirë, vrasjet që ka bërë, përplasjet me ish-shokun e tij Talo Çela (i shumëkërkuar i policisë), si dhe ngjarjet kriminale që kanë ndodhur në Elbasan e Durrës. Dumani është arrestuar në kuadër të operacionit ‘Plumbi i Artë’.


