Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ka anuluar pjesëmarrjen e planifikuar në garat e njohura Royal Ascot, teksa vijon me kujdes rikthimin në jetën publike pas trajtimit të kancerit vitin e kaluar.
Burime mbretërore bëjnë të ditur se Princesha po përpiqet të gjejë ekuilibrin e duhur mes angazhimeve zyrtare dhe shëndetit personal. Kate thuhet se ka qenë e zhgënjyer që nuk arriti të marrë pjesë në këtë aktivitet tradicional, ku do të kishte parakaluar në procesionin mbretëror me karrocë.
Ajo pritej të ishte e pranishme të mërkurën, së bashku me bashkëshortin e saj, Princin William, Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla. Por, Pallati Kensington konfirmoi mungesën e saj për këtë vit.
Në procesionin e hapjes morën pjesë Mbreti Charles, Mbretëresha Camilla, Princi William dhe Princi Saud bin Khalid Al Saud. Ndërkohë, Kate dhe William fillimisht ishin planifikuar të udhëtonin në karrocën e dytë bashkë me golfistin Justin Rose dhe bashkëshorten e tij, Kate Phillips.
Në mungesë të Kate, në këtë ngjarje të veçantë mori pjesë nëna e saj, Carole Middleton, e shoqëruar nga Alizée Thevenet, bashkëshortja e vëllait të Princeshës, James Middleton. Princi William, nga ana tjetër, do të ketë rolin e ndarjes së çmimeve gjatë ditës së dytë të garave.


