Policia britanike ka finalizuar një operacion të gjerë në Midlands, ku janë arrestuar katër persona – tre shtetas shqiptarë dhe një grua britanike – të dyshuar për një seri grabitjesh me vlerë të lartë që kapin mbi 1 milion paund.
Sipas autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar, hetimet janë zhvilluar nga forcat policore të disa qarqeve, përfshirë Cheshire, Staffordshire, Derbyshire dhe Nottinghamshire, të cilat kanë ekzekutuar urdhër-arreste në disa banesa në Walsall, Sutton Coldfield dhe Birmingham.
Të katër të arrestuarit, përfshirë një 33-vjeçare britanike, akuzohen për pjesëmarrje në 37 vjedhje të kryera me dhunë dhe me thyerje, të ndodhura mes muajit tetor 2024 dhe marsit 2025 në mbarë territorin britanik.
Policia raportoi se gjatë operacionit janë sekuestruar sende luksoze të vjedhura, përfshirë ora të shtrenjta dhe çanta të markave të njohura, që mendohet të jenë një pjesë e vogël e mallrave të përvetësuar nga grupi.
Të arrestuarit ndodhen aktualisht në paraburgim dhe pritet të dalin përpara gjykatës, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë dhe për të rikuperuar pasuritë e vjedhura.


