Autoritetet britanike po hetojnë një incident serioz që ndodhi javën e kaluar në Manchester, ku një avion i kompanisë Ryanair u detyrua të ulej me vetëm gjashtë minuta karburant të mbetur në rezervuarë.
Fluturimi FR3418, i nisur nga Piza (Itali) me destinacion Prestwick (Skoci), hasi në kushte ekstreme moti për shkak të stuhisë “Amy”, me erëra që arrinin deri në 160 km/h.
Pas tre tentativave të dështuara për ulje në Prestwick, pilotët shpallën emergjencë ajrore dhe u drejtuan për në Manchester, ku kushtet ishin disi më të favorshme. Sipas të dhënave, Boeing 737-800 kishte vetëm 220 kilogramë karburant, mjaftueshëm për rreth 5-6 minuta fluturim.
Një pilot që ka shqyrtuar regjistrat e fluturimit deklaroi për median britanike:
“Kur uleni me më pak se 2 tonë karburant, jeni shumë të kujdesshëm. Nën 1.5 tonë, filloni të shqetësoheni. Por ky rast ishte jashtë çdo norme, shumë afër një përplasjeje.”
Ryanair ka raportuar incidentin tek Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore (AAIB), ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.
Një pasagjer ka treguar se përpjekjet për ulje zgjatën rreth dy orë, me dy tentativa të dështuara në Prestwick, përpara se avioni të drejtohej drejt Edinburgut dhe më pas të ulej përfundimisht në Manchester. Në bord ndodheshin 189 pasagjerë, të cilët shpëtuan pa lëndime.

