Portugalia U17 është shpallur kampione e Europës në turneun që u zhvillua për herë të parë në Shqipëri. Skuadra luzitane dominoi finalen ndaj Francës, duke fituar me rezultatin bindës 0-3 në një mbrëmje historike në “Arenën Kombëtare”.
Golat për portugezët u shënuan nga Kabral dhe Kunja në pjesën e parë, ndërsa Neves vulosi suksesin me një tjetër gol në minutat e para të pjesës së dytë. Me këtë fitore, Portugalia kurorëzon një rrugëtim perfekt në këtë Europian të të rinjve.
Të kujtojmë se në fazën e grupeve, Portugalia ishte pjesë e grupit të Shqipërisë, ndërsa në gjysmëfinale eliminoi Italinë me një paraqitje të shkëlqyer.
Ky është një trofe i rëndësishëm për të ardhmen e futbollit portugez dhe vjen në kuadër të një kompeticioni historik siç ishte “EURO U17 – Shqipëri 2025”, ku vendi ynë mirëpriti për herë të parë një kampionat të tillë të UEFA-s.


