Site icon Informohu siç duhet

“Politico”: Shqipëria prezanton ministren e parë në botë të krijuar nga inteligjenca artificiale

Shqipëria është bërë vendi i parë në botë që emëron një ministre të krijuar nga inteligjenca artificiale, shkruan gazetarja Alice Taylor për Politico.

Ministrja quhet Diella – që në shqip do të thotë diell – dhe do të jetë përgjegjëse për të gjitha prokurimet publike, sipas kryeministrit Edi Rama, i cili e prezantoi atë gjatë asamblesë së Partisë Socialiste.

“Diella është anëtarja e parë e qeverisë që nuk është fizikisht e pranishme, por virtualisht e krijuar nga inteligjenca artificiale. Ajo është ‘shërbëtore e prokurimit publik’”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se Diella do të garantojë që tenderët publikë në Shqipëri të jenë 100% të pakorruptueshëm dhe 100% transparentë, duke i quajtur këto “jo fantastiko-shkencë, por detyrën e saj konkrete”.

Diella, e cila tashmë është pjesë e platformës e-Albania, paraqitet për qytetarët përmes një avatari digjital në formën e një vajze të re me veshje tradicionale shqiptare. Ajo do të ketë të drejtën të vlerësojë tenderët dhe të punësojë talente ndërkombëtare, duke synuar të zëvendësojë “paragjykimet dhe ngurtësinë e administratës”.

Shqipëria është përballur prej kohësh me kritika për korrupsion, veçanërisht në fushën e prokurimeve publike – një çështje e theksuar rregullisht në raportet e Bashkimit Evropian.

Rama, i cili fitoi mandatin e katërt në maj 2025, e cilësoi emërimin e Diellës si një hap të madh drejt modernizimit dhe besueshmërisë së administratës.

Exit mobile version