Policia Rrugore e Tiranës ka vendosur gjithsej 6373 masa administrative gjatë një periudhe 72-orëshe, nga data 20 deri më 22 prill 2026, si pjesë e kontrolleve intensive për rritjen e sigurisë rrugore.
Sipas njoftimit zyrtar, 1583 nga këto masa lidhen drejtpërdrejt me shkelje të rregullave të sigurisë në qarkullim. Ndër shkeljet më të shpeshta përfshihen tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosja e rripit të sigurimit, si dhe mosrespektimi i sinjalistikës rrugore.
Ndër shkeljet e evidentuara janë:
- 372 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara
- 111 masa për përdorim të celularit në timon
- 126 masa për mosvendosje të rripit të sigurimit
- 422 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse ose jelekut fosforeshent
- 4790 masa për qëndrim të gabuar të mjeteve
- 113 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve
- 56 masa për parakalime të gabuara
- si dhe qindra masa të tjera për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor
Në kuadër të veprimeve ligjore, për nenin 290 “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” janë proceduar 12 drejtues mjetesh, nga të cilët 2 janë arrestuar dhe 5 po hetohen në gjendje të lirë.
Gjithashtu, një drejtues mjeti është proceduar për drejtim në gjendje të dehur sipas nenit 291, ndërsa një tjetër për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia Rrugore thekson se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë në të gjithë vendin, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve.

