Site icon Informohu siç duhet

Policia intensifikon kontrollet në ujërat shqiptare, 15 mjete lundruese të bllokuara, 39 persona të shpëtuar në një javë

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë shtuar ndjeshëm monitorimet dhe kontrollet në ujërat shqiptare, nga Komani në Ksamil – për të garantuar sigurinë e pushuesve dhe për të parandaluar shkeljet e rregullave të lundrimit.

Gjatë javës së fundit janë kontrolluar 215 mjete lundruese, prej të cilave 15 janë bllokuar për shkelje të ndryshme. Konkretisht, policia ka ndaluar:
8 jet ski
3 skafe
3 gomone
1 varkë metalike me motor uji të instaluar

Nga këto, 6 mjete u konstatuan duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre u gjobitën me 100 mijë lekë secili.

Në të njëjtën periudhë, falë ndërhyrjeve të shpejta të policisë, janë shpëtuar 39 qytetarë shqiptarë e të huaj, si dhe 18 mjete lundruese që kishin mbetur në vështirësi, kryesisht për shkak të motit të keq.

Policia Kufitare apelon për respektimin e rregullave të qarkullimit detar dhe fton qytetarët të raportojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa ndaj shkelësve.

Exit mobile version