Policia Rrugore e qarkut të Vlorës ka arrestuar shtatë persona dhe ka vendosur mbi 1800 masa administrative gjatë 10 ditëve të fundit, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
“Me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve, Policia Rrugore e DVP Vlorë ka vijuar me kontrolle të shtuara në të gjitha akset rrugore të qarkut”, njoftoi Policia.
“Si rezultat, vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 3 drejtues mjetesh që qarkullonin nën efektin e alkoolit: G. I., 39 vjeç, banues në Vlorë, u kap në rrugën “Sazani” duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur; E. Sh., 39 vjeç, banues në Kavajë, u konstatua nga shërbimet në rrugën “Gjergj Araniti” në të njëjtën gjendje; D. F., 46 vjeç, banues në Sarandë, u ndalua nga shërbimet në rrugën “Skënderbeu”, duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit”, njoftoi më tej Policia.
Sipas policisë “gjatë 10 ditëve të fundit, janë vendosur gjithsej 1804 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht: 124 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 48 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 53 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 12 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit; 316 masa për shpejtësi tej normave të lejuara; 208 masa për parakalime të gabuara; 345 masa për ndalim apo qëndrim të gabuar; 698 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor”.
Policia Rrugore e DVP Vlorë vijon kontrollet e pandërprera në të gjitha akset rrugore të qarkut! Apelojmë për respektimin e rregullave të qarkullimit, pasi çdo shkelje mund të rrezikojë jetën tuaj dhe të të tjerëve.