Në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike dhe përmirësimin e qarkullimit në qytetin bregdetar, Policia e Vlorës ka intensifikuar kontrollet gjatë 24 orëve të fundit.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Komisariatit të Vlorës kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masa administrative qindra drejtues automjetesh që kanë parkuar në mënyrë të gabuar, duke zënë trotuaret dhe rrugëkalimet për këmbësorët.
Zona më të prekura janë ato me fluks të lartë, veçanërisht gjatë sezonit turistik, si: Muradia, Bulevardi Ismail Qemali, Lungomare dhe disa akse të tjera kryesore të qytetit.
Përveç gjobave, dhjetëra automjete janë larguar me karrotrec për të siguruar qarkullimin e lirë të mjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.
Policia Vlorë njofton se do të vazhdojë kontrollet çdo ditë, ndërsa thekson se parkimi i dyfishtë nuk do të ndëshkohet vetëm me masë administrative, por edhe penalisht, sipas nenit 293 të Kodit Penal për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.


