Policia e Shtetit publikoi bilancin mujor për korrikun 2025, duke njoftuar finalizimin e 103 operacioneve policore dhe arrestimin e 761 personave të akuzuar për vepra të ndryshme penale.
Nga këto, 25 operacione janë zhvilluar në bashkëpunim me agjencitë partnere brenda dhe jashtë vendit, duke goditur krimet kibernetike, trafikimin e drogës dhe duke kapur persona të kërkuar ndërkombëtarisht.
Gjatë muajit janë sekuestruar mbi 52 mijë bimë kanabisi, 2.5 kg kokainë, dhjetëra armë zjarri dhe pasuri me vlerë rreth 1.6 milionë euro. Policia ka zbardhur 10 ngjarje kriminale të rënda, ka parandaluar disa tentativa për vrasje dhe ka shuar 44 raste zjarrvënieje, duke arrestuar 42 persona si autorë të dyshuar.
Në kuadër të sezonit turistik, u shtuan kontrollet për sigurinë në plazhe dhe u bllokuan 134 mjete lundruese që cenonin perimetrin e pushuesve. Në operacionin “Plazhi i lirë” u sekuestruan rreth 2700 çadra dhe shezlongë të vendosur në hapësira publike.
Policia Rrugore arrestoi 226 drejtues mjetesh, nga të cilët 139 për drejtim në gjendje të dehur dhe 87 pa leje drejtimi, si dhe pezulloi 252 patenta për shkelje të rënda të Kodit Rrugor.
Strukturat policore kanë paralajmëruar se do të vijojnë me operacionet intensive, duke u bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112.

