OSBE-ODIHR ka publikuar raportin paraprak për zgjedhjet e 11 majit 2025 në Shqipëri, duke theksuar se mjedisi politik para zgjedhjeve karakterizohet nga një shkallë e lartë polarizimi dhe mosbesimi mes dy partive kryesore. Ky proces zgjedhor, sipas raportit, është një provë kyçe për forcimin e institucioneve demokratike të Shqipërisë dhe përparimin në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Raporti gjithashtu e vlerëson këtë zgjedhje si një moment të rëndësishëm, duke theksuar se klima politike është e karakterizuar nga polarizim të thellë dhe përçarje brenda partive, si dhe shqetësime të vazhdueshme për korrupsionin dhe lirinë e shprehjes. Progresi në negociatat për BE dhe mundësia e votës për herë të parë të diasporës shqiptare kanë qenë çështjet kryesore të diskursit publik.
Një tjetër çështje e theksuar është dominimi i peizazhit politik nga dy partitë kryesore: Partia Socialiste (PS) dhe Partia Demokratike (PD), me PD-në që ka përjetuar konflikte të brendshme. Raporti gjithashtu përmend arrestimet e zyrtarëve të lartë politik si Ilir Meta dhe Erion Veliaj, si dhe protestat e shumta antiqeveritare që kanë shpërthyer për shkak të akuzave për korrupsion dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore.

