Një ngjarje tragjike është zbuluar së fundmi në Republikën Çeke, ku një 27-vjeçare raportohet se u mbajt peng dhe u përdhunua për një periudhë kohore 3 mujore.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Sirem, rajoni Louny, ku e reja u rrëmbye nga një 40-vjeçar, i identifikuar si Karel N. Ai kishte arritur ta fuste me forcë në kamionin e tij dhe më pas e mbylli atë në një bodrum.
Ky vend u shndërrua në makthin e saj ku për 3 muaj rrjesht ajo u përdhunua. 27-vjeçarja raportohet se u dhunua fizikisht dhe më pas u përdhunua nga 40-vjeçari. Karel gjithashtu i jepte për të ngrënë në një tas për qen dhe e lidhte në një krevat metalik me zinxhirë.
E reja arriti të arratisej vetëm në orën 03:00 të mëngjesit, në datën 16 shkurt, pasi u ndihmua nga fqinjët aty pranë. Ishin dy të moshuar ata që i erdhën në ndihmë. Ata dëshmojnë se kur 27-vjeçarja u trokiti në derë, ishte thuajse e zhveshur me shenja në fytyrë e trup, dhe rreth qafës kishte të lidhur një zinxhir qensh me gjemba. Po ashtu ajo e kishte kokën të rruar dhe shumë e dobët në trup.
Ajo tregoi se rrëmbyesi i jepte shumë rrallë për të ngrënë vetëm bukë thatë dhe ujë të pisët për të pirë.
Rrëmbyesi 40-vjeçar është tashmë në kërkim, teksa rezulton se ai është dënuar dhe më herët për një rast makabër përdhunimi.
Sipas autoriteteve vendase, në vitin 2021 ai kishte torturuar dhe abuzuar seksualisht një 22-vjeçare pasi e joshi atë të shkonte në shtëpinë e tij, duke i premtuar se do t’i gjente një punë.

