Një 40-vjeçar shqiptar, i identifikuar Van Koxha u vra ndërsa vëllai i tij u plagos në Itali më 25 nëntor.
Së fundmi raportohet se autorë të dyshuar janë identifikuar dy persona me origjinë nga Maqedonia e Veriut. Ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.
Policia italiane raporton se të dy shqiptarët kishin kërkuar ndihmën e policisë, teksa u goditën nga autorët. Ngjarja ndodhi pranë një hoteli.
“Na therën me thikë, na ndihmoni!”, i thanë shqiptarët e plagosur efektivëve.
Sipas medieve të huaja, viktima dhe i plagosuri kishin marrë plagë të shumta në gjoks. Ata treguan edhe vendin e ngjarjes me gisht dhe autorët, pranë një lokali. Dy shqiptarët u dërguan menjëherë në spital, ndërsa policia u vu në ndjekje të autorëve dhe i arrestuan pak metra larg vendngjarjes.
Një nga të dyshuarit u pa teksa hodhi thikën. Por në të nuk kishte gjurmë gjaku, teksa besohet se arma tjetër është fshehur apo hedhur diku tjetër.
Policia deri tani ka zbuluar shkëmbime mesazhesh dhe disa prova. Policia po heton motivet që çuan në ngjarjen e rëndë.
Autorët po e prisnin në rrugë 40-vjeçarin, të cilin e goditën me thikë për vdekje. Koxha ishte në shoqërinë e vëllait të tij i cili mbeti i plagosur lehtë.
Në këtë rast, sipas hetuesve, bëhet fjalë për larje hesapesh mes autorëve, të cilët janë arrestuar dhe janë me origjinë maqedonase

