Policia e Vlorës, në kuadër të operacionit “Plazhi i Lirë”, ka ndërhyrë për lirimin e një hapësire publike të zaptuar në mënyrë të paligjshme pranë zonës turistike “Uji i Ftohtë”. Aksioni kishte për qëllim garantimin e aksesit të lirë për pushuesit dhe kontrollin e ligjshmërisë së aktiviteteve tregtare përgjatë vijës bregdetare.
Gjatë kontrolleve të kryera në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, u konstatuan shkelje në ambientet pranë një restoranti, ku administratori i subjektit, shtetasi G. I., 62 vjeç, banues në Orikum, kishte zënë pa leje një sipërfaqe prej 300 m² tokë publike. Ai kishte vendosur në këtë hapësirë çadra, shezlongë dhe tavolina plazhi, pa autorizim nga autoritetet kompetente.
Si pasojë, ndaj tij është nisur procedimi penal për veprën “Pushtim i tokës”, e parashikuar nga neni 200 i Kodit Penal. Materialet iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia njofton se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror, për të garantuar përdorimin e lirë të hapësirave publike dhe zbatimin e ligjit nga subjektet private.


