Dhjetë vende evropiane janë gati të dërgojnë trupa në Ukrainë si pjesë e një plani sigurie që po përgatitet nga udhëheqësit e BE-së me mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas Bloomberg, në një takim të zhvilluar të martën u diskutua për pjesëmarrjen e ushtarëve britanikë dhe francezë, duke përfshirë numrin dhe pozicionimin e tyre, ndërsa rreth 10 shtete janë shprehur të gatshme të kontribuojnë në një mision paqeje. Trump, në një intervistë për Fox News, deklaroi se është i gatshëm ta ndihmojë Ukrainën sidomos me mbështetje ajrore, por përjashtoi dërgimin e trupave amerikane në terren.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, theksoi se presidenti e konsideron jetike ofrimin e garancive të forta sigurie dhe ka urdhëruar ekipin e tij të sigurisë kombëtare të koordinohet me aleatët evropianë, Ukrainën dhe Rusinë. Plani parashikon forcimin e ushtrisë ukrainase përmes trajnimeve dhe përforcimeve, i ndjekur nga vendosja e një pranie shumëkombëshe me qindra trupa britanikë e francezë të stacionuar larg vijës së frontit.
Roli i SHBA-së do të mbetet kryesisht në ndarjen e inteligjencës, furnizimin me armë, mbikëqyrjen e kufijve dhe mbrojtjen ajrore. Udhëheqësit evropianë dhe NATO do të zhvillojnë takime në ditët e ardhshme për të finalizuar garancitë e sigurisë, ndërsa Kremlini ka kundërshtuar ashpër vendosjen e trupave të NATO-s në territorin ukrainas, duke kërkuar që Kievi të heqë dorë nga pretendimet mbi territoret e pushtuara.
Radar.al


