Policia e Sarandës, në bashkëpunim me forcat e ndërhyrjes së shpejtë (FNSH), është vënë në ndjekje të dy vëllezërve të dyshuar si autorë të plagosjes me armë zjarri të dy të rinjve, ngjarje e ndodhur sot në lagjen nr. 4 të qytetit.
Personat në kërkim janë identifikuar si Ramadan Zoto, i njohur edhe me emrin Ramadan Canaj, 43 vjeç, dhe vëllai i tij, Erjon Canaj, 35 vjeç. Të dy konsiderohen me precedentë penalë dhe rrezikshmëri të lartë.
Ramadan Canaj është dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Sipas burimeve, ai ka qenë i përfshirë në një shkëmbim zjarri me policinë greke disa vite më parë dhe aktualisht ndodhet nën proces gjyqësor në Shqipëri për “goditje për shkak të detyrës”.
Ndërsa Erjon Canaj është arrestuar më herët për dhunë ndaj një punonjësi sigurie në Spitalin e Sarandës në dhjetor 2022 dhe është ndaluar në shkurt 2024 pasi iu gjetën dy armë zjarri në banesë. Megjithatë, u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Sarandës disa muaj më vonë.
Policia po vijon kontrollet në disa zona të qytetit dhe rrethinave, ndërsa hetimet janë në zhvillim për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.

