Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së ndodhur paraditen e djeshme në fshatin Gurëz, Kurbin, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 35-vjeçar, ndërsa është identifikuar autori i dyshuar dhe është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasi A. T. është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin F. C., alias F. S., i cili dyshohet se e ka plagosur 35-vjeçarin me armë zjarri.
Në vijim të veprimeve, është shpallur në kërkim shtetasi F. C., 40 vjeç, banues në fshatin Gorre, Kurbin, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, në kërkim është shpallur edhe shtetasi R. M., 26 vjeç, i cili dyshohet se ka shoqëruar të plagosurin në spital dhe më pas është larguar, duke braktisur automjetin. Ai akuzohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Nga hetimet rezulton se rreth orës 10:20, 35-vjeçari i plagosur në këmbë me armë zjarri (pistoletë) është paraqitur në spitalin e Laçit, por mjeku roje nuk ka njoftuar Policinë dhe e ka dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Për këtë arsye, është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasi A. I., 58 vjeç, me detyrë mjek roje, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për moskryerje të detyrimeve funksionale.
Policia bën me dije se vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

