Site icon Informohu siç duhet

“Plagosja ime u mohua”, gazetari rrëfen tradhtinë pas 21 Janarit: M’u fshehën plagët, m’u mbyllën dyert

Gazetari Fatos Mahmutaj, i ftuar në emisionin “Top Story”, ka rrëfyer plagosjen e tij gjatë ngjarjes tragjike të 21 janarit 2011, teksa ishte duke raportuar në terren. Ai tregoi se ndonëse ishte plagosur nga një plumb, në ato momente nuk e kuptoi menjëherë çfarë kishte ndodhur dhe vazhdoi transmetimin live, i pavetëdijshëm për dëmtimin.

“Mendova se më kishte goditur ndonjë copë nga trungu i pemës. Vazhdova transmetimin për rreth një minutë edhe pasi isha plagosur, ndërsa thosha se ndoshta isha prekur edhe vetë,” u shpreh Mahmutaj.

Pas kësaj ngjarjeje, karriera e tij 14-vjeçare mori fund dhe ai përfundoi duke kërkuar azil politik në Belgjikë. Gazetari tha se përveç plagës fizike, më e rëndë ishte mënyra sesi u trajtua më pas nga institucionet.

“Plagosja ime u mohua publikisht nga kryeministri i kohës. Ai tha në një konferencë për shtyp se nuk kishte gazetar të plagosur. Nga ai moment, gjithçka u izolua. Në spital ndjeva një sjellje dashakeqe nga administrata – donin të më zhduknin si rast, nuk më lejuan as të flisja me prokurorët. Mjeku ligjor refuzoi të bënte ekspertizën e duhur dhe përpiqej të manipulonte atë çfarë kishte ndodhur,” tregoi Mahmutaj.

Ai e përmbylli rrëfimin me keqardhje për trajtimin e pamerituar dhe përpjekjet për të fshehur të vërtetën, duke nënvizuar se drejtësia për 21 janarin nuk është bërë ende.

Exit mobile version