Inspektorati Shtetëror i Punës ka vendosur pezullimin e pjesshëm të aktivitetit të kompanisë Albchrome, pas një aksidenti të rëndë të ndodhur në repartin e copëtimit të ferrokromit. Vendimi është marrë për shkak të shkeljeve të konstatuara në zbatimin e masave të sigurisë dhe mbrojtjes në punë.
Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ndodhi rreth orës 12:15, ku një punonjës, mekaniku Rudin Meçja, është dëmtuar rëndë pasi një pllakë metalike me peshë qindra kilogramë i ka rënë mbi trup. Ai po punonte së bashku me një grup kolegësh për ndërrimin e pllakave të copëtuesit të ferrokromit, kur ndodhi aksidenti.
Meçja u godit në shpatull dhe shtyllën kurrizore, ndërsa aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.
Inspektorati ka pezulluar menjëherë punën në repartin ku ndodhi aksidenti, deri në marrjen e masave të plota për garantimin e sigurisë së punëtorëve. Autoritetet janë duke kryer hetime për të zbuluar shkaqet dhe përgjegjësitë e mundshme të incidentit.


