Duke qenë se kryetari i tyre përfundoi pas hekurave, shqetësimi më i madh i Partisë së Lirisë është fushata pa Ilir Metën në terren.
Tre të besuarit e këtij të fundit, së fundmi iu ankuan kreut të misionit të OSBE/ODHIR për kryetarin Ilir Meta, i cili e ka të vështirë të grumbullojë vota nga burgu pasi nuk mund të bëjë fushatë.
“Ky izolim me urdhër të tij lidhet pikërisht me zgjedhjet e 11 majit. Gjithashtu, e informuam lidhur me faktin se Z. Meta, sot, edhe pse kandidat në zgjedhje, e ka të pamundur jo vetëm të bëjë fushatë, por edhe të komunikojë me votuesit”, shprehet Blushi.
Në lidhje me këtë situatë Ambasadori Zannier sugjeroi që zgjidhjen ta gjejnë në institucionet shqiptare. Ndërsa më tej nuk preferoi që komentonte nëse 11 maji do të ishte një garë e pabarabartë për Ilir Metën.
“Unë nuk mund të jap një gjykim lidhur me këtë çështje. Unë sapo kam mbërritur në vendin tuaj. Në të shkuarën, unë jam takuar me Zotin Meta në kapacitetet institucionale që ai mbante; i takon institucioneve të këtij vendi për të arritur në konkluzionet finale për këtë. Ne qëndrojmë për sundimin e ligjit dhe për një aplikim transparent të sundimit të ligjit”.
Kujtojmë se emri i Ilir Metës renditet në listën e hapur të Tiranës edhe pse aleati Sali Berisha i ofroi një vend në zonën e sigurt, që mund t’i hapte edhe dyert e burgut më lehtësisht.