Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes nga mesazhet dhe lidhjet (linqet) mashtruese që imitojnë faqen zyrtare të Postës Shqiptare ose të subjekteve të tjera.
Sipas autoriteteve, këto mesazhe janë pjesë e një tentative mashtrimi kibernetik (phishing), e cila synon të përfitojë pa autorizim të dhënat personale, numrat e kartave bankare ose fjalëkalimet për llogaritë online të përdoruesve.
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik apelon për kujdes të shtuar dhe rekomandon:
Mos klikoni në lidhje të dyshimta të dërguara përmes email-it, SMS-ve ose rrjeteve sociale;
Mos jepni asnjëherë të dhëna personale, numra kartash, PIN ose fjalëkalime në faqe që nuk janë zyrtare;
Kontrolloni gjithmonë adresën e saktë të faqes përpara se të kryeni veprime online;
Raportoni menjëherë çdo dyshim pranë Policisë së Shtetit ose Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik.
Policia e Shtetit thekson se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e qytetarëve nga aktivitetet e paligjshme në hapësirën digjitale dhe për rritjen e ndërgjegjësimit mbi sigurinë kibernetike.

