Site icon Informohu siç duhet

Përplasje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së mbi përgjegjësinë për ofrimin e ndihmës në Gaza

Këshilli i Sigurimit i OKB-së u mblodh me kërkesë të Greqisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, Danimarkës dhe Algjerisë për të diskutuar krizën humanitare në Rripin e Gazës dhe nevojën për mbrojtjen e punonjësve të ndihmës humanitare.

Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare, Tom Fletcher, i bëri një kritikë të fortë jo vetëm Izraelit, por edhe gjithë komunitetit ndërkombëtar. “Në të ardhmen do të na pyesin çfarë bëmë për të ndalur këtë tmerr,” tha ai, duke shtuar se “ndoshta shumë do të përgjigjen me fjalët boshe ‘bëmë ç’kishim mundësi’”.

Ai akuzoi hapur Izraelin për vendosjen e kushteve çnjerëzore ndaj civilëve në Gaza dhe theksoi se për më shumë se 10 javë nuk është lejuar hyrja e ushqimit, ilaçeve, ujit apo ndihmave bazë në territor.

Sipas tij, mbi 70% e territorit të Gazës është kthyer në zonë lufte ose urdhëruar për evakuim, dhe të gjithë 2.1 milionë banorët rrezikojnë nga uria. “Një në pesë po vuan nga uria ekstreme,” shtoi Fletcher.

Ai kërkoi nga Këshilli i Sigurimit që të lejojë punonjësit humanitarë të bëjnë punën e tyre, duke theksuar se ndihmat janë gati në kufi dhe mund të shpëtojnë qindra mijëra jetë. Ndërkohë, akuzoi Izraelin se po pengon qëllimisht ndihmat, ndërsa ministrat izraelitë “mburren me bllokadën”.

Fletcher kritikoi gjithashtu modelin izraelit të shpërndarjes së ndihmës, duke thënë se ky sistem përjashton persona me aftësi të kufizuara, gra, fëmijë dhe të moshuar, ndërsa e përdor ndihmën si mjet presioni dhe manipulimi. Ai theksoi se OKB ka dënuar përdorimin e urisë si mjet lufte, duke iu referuar të drejtës ndërkombëtare dhe Rezolutës 2417 të Këshillit të Sigurimit.

Në të njëjtën seancë, ambasadori izraelit Dani Danon akuzoi OKB-në se po furnizon Hamasin. Ai deklaroi se ndihmat humanitare kanë përfunduar në tunelet e Hamasit dhe shtoi se “Izraeli nuk do të bashkëpunojë me asnjë mekanizëm që ndihmon ata që vranë, përdhunuan dhe rrëmbyen qytetarët tanë”.Ai solli në vëmendje lirimin e pengut Edan Alexander, i cili kishte qenë në robëri për gati 600 ditë, duke përshkruar vuajtjet e tij ekstreme.

SHBA, përmes ambasadores së saj zëvendësuese, Dorothy Shea, rikonfirmoi mbështetjen ndaj të drejtës së Izraelit për vetëmbrojtje dhe fajësoi ekskluzivisht Hamasin për nisjen dhe zgjatjen e konfliktit.

Shea theksoi se Hamas ka refuzuar disa oferta për armëpushim që do të çonin në lirimin e 58 pengjeve të mbetura. Ajo prezantoi një mekanizëm të ri ndihme, fondacionin “Gaza Humanitarian Foundation”, i cili synon të parandalojë që ndihma të përfundojë në duart e Hamasit ose grupeve të tjera radikale.

Shea theksoi se “askush nuk dëshiron të shohë civilë palestinezë në Gaza duke vuajtur nga uria dhe etja”, dhe u bëri thirrje OKB-së, organizatave humanitare dhe bashkësisë ndërkombëtare të bashkëpunojnë me fondacionin e ri për të garantuar ndihmë të shpejtë dhe të sigurt për popullsinë civile.

Në përfundim, ai paralajmëroi se Lindja e Mesme po përballet me një zgjedhje kritike: “Mund të vazhdojë t’i lejojë Iranit dhe aleatëve të tij, siç është Hamasi, të diktojnë të ardhmen e rajonit, ose mund të zgjedhë një rrugë drejt një të ardhmeje të mirë për të gjithë popujt e saj.”

Exit mobile version