Një ngjarje e rëndë me përdorim armësh ka ndodhur paraditen e kësaj të premteje në qendër të qytetit të Trento, duke shkaktuar panik mes qytetarëve dhe një të plagosur.
Sipas mediave italiane, ngjarja është regjistruar rreth orës 09:15, kur katër persona janë përfshirë fillimisht në një konflikt fizik që më pas ka eskaluar në dhunë të rëndë.
Dy prej tyre ndodheshin në një lokal duke pirë kafe pranë zonës së Piazza Fiera, ndërsa dy të tjerët janë afruar në këmbë nga një tjetër zonë e qytetit. Përplasja ka vijuar më pas në një tabakeri në rrugën “Santa Croce”, ku situata ka dalë jashtë kontrollit.
Gjatë konfliktit janë dëgjuar të shtëna armësh, që dyshohet të jenë bërë me një pistoletë manovër, ndërsa njëri prej personave ka mbetur i plagosur në shpatull. Sipas raportimeve, arma dyshohet se është përdorur edhe për goditje fizike.
Menjëherë pas ngjarjes, alarmi është dhënë nga pronarja e tabakerisë dhe nëna e saj, të cilat janë strehuar në pjesën e pasme të lokalit dhe fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime.
Policia italiane ka ndërhyrë shpejt dhe ka shoqëruar të katër personat e përfshirë në ngjarje. Fillimisht u dyshua për tentativë grabitjeje, por hetimet e mëvonshme kanë nxjerrë si pistë kryesore një konflikt mes dy shtetasve shqiptarë dhe dy personave me origjinë nga Afrika e Veriut.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu mundësinë që ngjarja të ketë lidhje me trafikun e lëndëve narkotike, ndërsa priten sqarime të mëtejshme për motivet reale të përplasjes.


