Një ngjarje shqetësuese është regjistruar në Lushnjë, ku një 30-vjeçare ka rënë pre e përndjekjes dhe dhunës fizike nga një 38-vjeçar.
Pas kallëzimit të bërë nga e reja, e cila ndiente ankth dhe pasiguri për shkak të veprimeve të shtetasit F. A., shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë organizuan menjëherë punën për kapjen e tij.
Në sajë të veprimeve të shpejta operacionale, policia bëri të mundur ndalimin e 38-vjeçarit, banues në Lushnjë. Hetimet paraprake tregojnë se, gjatë një periudhe dy mujore, ai ka përndjekur 30-vjeçaren dhe ka ushtruar dhunë ndaj saj në ambientet e subjektit tregtar ku ajo punonte.
Materialet i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme ligjore.


