Site icon Informohu siç duhet

Përkeqësohen zjarret në Mirditë, ndërhyhet nga ajri për të shuar flakët

Zjarri që shpërtheu dy ditë më parë në fshatin Malaj të Mirditës vijon të mbetet aktiv, duke djegur dhjetëra hektarë pyje me pisha. Përpjekjet për shuarjen e flakëve janë intensifikuar, me 30 forca ushtarake të angazhuara në terren, të cilat po fokusohen kryesisht në mbrojtjen e banesave në zonat e rrezikuara.

Terreni i thyer malor ka penguar ndjeshëm ndërhyrjen nga toka, duke detyruar Mbrojtjen Civile të kërkojë ndihmë nga ajri. Mesditën e së shtunës, një avion tip Canadair nga Kroacia kreu 11 rrugë mbi zonën, duke arritur ta vendosë nën kontroll vatrën kryesore.

Edhe pse rreziku i menjëhershëm për banesat është shmangur, zjarrfikësit dhe emergjencat civile vijojnë kontrollin e perimetrit për të parandaluar çdo rindezje të mundshme të flakëve.

Shkaqet e zjarrit, i cili u shfaq mesditën e së enjtes, mbeten ende të paqarta. Kjo është e vetmja vatër aktive në qarkun e Lezhës, por përmasat e saj kanë vënë në provë si forcat vendore, ashtu edhe ato ndërkombëtare.

Radar.al

Exit mobile version