Papa Leo XIV ka deklaruar se “nuk ka frikë” nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe se do të vazhdojë të flasë hapur kundër luftës dhe për paqen, pas një përplasjeje të ashpër publike me Shtëpinë e Bardhë.
Reagimi i Papës erdhi pas kritikave të forta nga Trump, i cili në një postim në rrjetin Truth Social e quajti atë “të dobët në Krime dhe të tmerrshëm për politikën e jashtme”. Më vonë, presidenti amerikan u tha gazetarëve se “nuk është një fans i madh” i Papës dhe se ai “duhet të rregullojë veten”, duke e kritikuar për qëndrimet ndaj konfliktit në Iran.
Trump gjithashtu pretendoi se Papa Leo është “shumë liberal” dhe e akuzoi se nuk mbështet mjaftueshëm luftën kundër krimit, duke e lidhur qëndrimin e tij me debatet mbi sigurinë dhe armët bërthamore në Iran. Ai madje sugjeroi se zgjedhja e Papës mund të ketë pasur motive politike, pasi është amerikan.
Në përgjigje, Papa Leo, gjatë një udhëtimi drejt Algjerisë, u shpreh se nuk dëshiron të hyjë në polemika me presidentin amerikan, por theksoi se misioni i tij është të përhapë mesazhin e Ungjillit dhe të kërkojë paqe.
“Unë nuk kam frikë nga administrata Trump, apo nga të flas hapur për mesazhin e Ungjillit. Nuk dua të hyj në debat me të, por shumë njerëz po vuajnë dhe dikush duhet të thotë se ekziston një rrugë më e mirë,” tha Papa.
Ai shtoi se shqetësimi i tij kryesor mbeten civilët e pafajshëm dhe përshkallëzimi i konflikteve, duke vijuar thirrjet për ndalimin e luftës dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare.
Papa Leo ka qenë më herët kritik i ashpër i luftës në Iran, duke e cilësuar të papranueshme retorikën për shkatërrim dhe duke bërë thirrje për de-eskalim të menjëhershëm. Në disa raste, ai ka kritikuar edhe politikat e emigracionit të SHBA-së, duke u bërë një zë i fortë në debatet globale për paqe dhe të drejtat e njeriut.
Përplasja e fundit ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare, duke qenë e pazakontë një përballje kaq e drejtpërdrejtë mes një Pape dhe një presidenti amerikan.

