Site icon Informohu siç duhet

Përfituesit nga amnistia 2025: Vetëm 4 të mitur dhe 9 gra lirohen nga lista e 447 të dënuarve

Megjithëse në relacionin shpjegues të projektligjit për amnistinë 2025 theksohet se gratë dhe të miturit janë në fokus të veçantë, të dhënat tregojnë se këto kategori përfitojnë në numër shumë më të vogël krahasuar me të burgosurit e tjerë.

Sipas shifrave zyrtare, nga 447 të dënuar që do të lirohen, vetëm 4 janë të mitur dhe 9 janë gra, pas miratimit të projektligjit nga qeveria dhe kalimit të tij për diskutim në komisionet parlamentare.

Ndërkohë, 5 gra dhe 2 të mitur të tjerë do të përfitojnë vetëm ulje dënimi, nga një total prej 853 të burgosurish që do të kenë zbritje të masës së dënimit.

Në Institutin e të Miturve në Kavajë aktualisht ndodhen 27 fëmijë, me moshën më të madhe 18 vjeç, të dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë grabitje me dhunë, vrasje dhe plagosje.

Megjithatë, numri më i madh i përfituesve nga kategoria e të miturve pritet të jetë jashtë burgjeve, konkretisht ata nën shërbim prove. Në draftin e projektligjit pranohet se kjo përparësi synon t’u japë atyre mundësi për një riintegrim më të shpejtë në shoqëri.

Nga analiza e draftit të kryer nga TCH Channel, në krahasim me Kodin Penal, rezulton se amnistia përfshin gjithashtu qindra persona të tjerë që janë të kallëzuar, nën hetim apo në gjykim për vepra penale që parashikojnë dënim deri në tre vite burg.

Në këtë kategori përfshihen, ndër të tjera, persona të dyshuar për mjekim të pakujdesshëm, gra nën hetim për prostitucion, vjedhje, korrupsion në sektorin privat, kontrabandë, fshehje të ardhurash, mospagim të energjisë elektrike, shmangie taksash, falsifikim, krime mjedisore pa pasoja në jetë, shpifje dhe fyerje.

Gjithashtu, përfitojnë edhe persona të akuzuar për kundërshtim të punonjësve të policisë, ushtrim ndikimi të paligjshëm, si dhe qytetarë që kanë marrë pjesë në protesta gjatë vitit 2025, përfshirë bllokime rrugësh apo përplasje me forcat e rendit.

Exit mobile version