Një avion rus dhe një amerikan kanë rrezikuar të përplasen me njëri tjetrin. Incidenti ajror ndodhi një javë më parë në Alaskë.
Sot mediat kanë publikuar pamjet e Komandës së Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut.
Aty duket se si avioni rus kalon shumë pranë avionit F-16 amerikan.
F-16 amerikan ishte vendosur në hapësirën ajrore përgjatë bregut të Alaskës për të gjurmuar një aeroplan tjetër rus, një bombardues TU-95, pasi kishte hyrë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Alaskës.
Pamjet tregojnë momentin kur një avion rus vjen nga pas dhe në mes të bombarduesit rus dhe avionit amerikan, sipas Komandës së Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut.
Piloti i Forcave Ajrore Amerikane u detyrua të ndërmerrte veprime të shpejta për të shmangur tragjedinë.
Për incidentin në ajër, SHBA akuzon Rusinë. “Sjellja e pilotit të Su-35 ishte e pasigurt, joprofesionale dhe shumë e rrezikshme”, tha gjenerali Gregory Guillot, komandant Komandës Veriore të SHBA-së.