Marrëveshja e pensioneve e nënshkruar midis Shqipërisë dhe Italisë, në shkurt të këtij viti ka hyrë ditën e djeshme në fuqi.
E shtuna e 6 korrikut është pikënisja e zbatimit të kësaj marrëveshjeje, ndërsa prej saj përfitojnë të githë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Itali me dokumentacion të rregullt, si dhe italianët që jetojnë në vendin tonë.
Të gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali do të përfitojnë nga Sigurimi i Përgjithshëm i Detyrueshëm për pension invaliditeti, pleqërie dhe familjarë të punonjësve të punësuar, trajtimin e posaçëm të punonjësve të vetëpunësuar si artizanë, tregtarë, fermerë dhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet.
Pas datës 6 korrik, shqiptarët në prag pensioni duhet të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në shtetin italian dhe atë shqiptar duke bërë të mundur marrjen e dy pensioneve, sipas viteve të punës që kanë derdhur kontributet.
Janë rreth 500 mijë shqiptarë që përfitojnë nga marrëveshja me Italinë, si dhe 4 mijë shtetas italianë që do të përfitojnë pension në Shqipëri.
Po ashtu shqiptarët që kanë dalë në pension përpara 2024, mund të aplikojnë për të përfituar nga kjo marrëveshje.
Për të marrë pension në Itali duhen 20 vite pune, ndërsa për të përfituar pension në Shqipëri mjaftojnë 15 vite pune.
Kujtojmë se deri në këto momente, shteti shqiptar ka negociuar dhe lidhur marrëveshje me 17 shtete, dhe negociatat së fundmi janë përqendruar me qeverinë greke.