Informohu siç duhet

PD kërkon shkarkimin e Presidentit, Bardhi: Ka 7 raste të rënda të shkeljes së Kushtetutës

TIRANË– Partia Demokratike ditën e sotme ka depozituar në Kuvend kërkesën për shkarkimin nga detyra të presidentit të Republikës, Bajram Begaj, pasi sipas saj ka bërë shkelje të rënda të Kushtetutës.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka dalë sot në një konferencë për shtyp duke thënë se Begaj nuk qeveris i pavarur, por vepron në bazë të urdhrave që i vijë nga kryeministri i vendit, Edi Rama, referuar këtu dhe dekretimit të zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës apo të ministres virtuale Diella.

KONFERENCA

SHKARKIMI I BAJRAM BEGAJ

 

Të nderuar qytetarë,

Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike kam dorëzuar sot në protokollin e Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës Bajram Begaj  për shkelje të rënda, e në mënyrë të vazhdueshme, të Kushtetutës së Shqipërisë. Kërkesa është e argumentuar gjërësisht në një material prej 80 faqesh, të mbështetura mbi 21 prova shkresore prej 224 faqesh, të cilat dëshmojnë se ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë e procedurës që kemi inciuar, por po ashtu jemi të bindur se Bajram Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë de iuro Kryetar i Shtetit dhe Përfaqësues i Unitetit të Popullit, funksione të cilat de facto i ka humbur prej shumë kohësh tashmë.

Pas një analize shteruese të provave, fakteve, Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionit të brendshëm dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese nga ekspertët ligjorë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kemi arritur në konkluzionin se Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka konsumuar 7 shkelje të rënda të Kushtetutës dhe Ligjit, të cilat përbëjnë shkaqe të mjaftueshme për shkarkimin e tij nga detyra, në kuptim të nenit 90, pika 2, të Kushtetutës, që parashikon shprehimisht se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës ose për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit…”.

Konkretisht shkeljet e rënda dhe të përsëritura të Kushtetutës së Shqipërisë nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj janë si vijon:

 Shkelja nr. 1 – Dekretimi antikushtetues i zgjedhjeve për Bashkinë Tiranë

Në kundërshtim me nenet 4, 7, 13, 86, 92/gj, 94, 115, 124 dhe 131 të Kushtetutës dekretoi zgjedhje të pjesëshme vendore në Bashkinë Tiranë, pa u krijuar nga pikëpamja kushtetuese vakanca, duke ndërhyrë në mënyrë brutale në autonominë e pushtetit vendor, të drejtat themelore të njëriut, kompetencat e organeve të tjera kushtetuese dhe duke tentuar të zhvesh Gjykatën Kuhtetutese nga kompetenca që i njeh shprehimisht Kushtetuta.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

 Shkelja nr. 2 – Ndërprerja antikushtetuese e mandatit të gjyqtarit kushtetues

Në kundërshtim me nenet 4, 7, 124, 125, 127, 129 dhe 179 të Kushtetutës ka ndërhyrë në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar ndërprerjen antikushtetuese të mandatëve të anëtarëve të kësaj Gjykate dhe duke krijuar pasiguri juridike në ushtrimin e detyrës nga ana e tyre, si forma kyce e cenimit të pavarësisë së gjyqtarit kushtetues.

Presidenti Bajram Begaj ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

 Shkelja nr. 3 – Dekretimi antikushtetues i ligjit për komisionet hetimore

 Në kundërshtim me nenet 77, 86 dhe 132 të Kushtetutës, duke injoruar të drejtën kushtetuese të deputetëve të opozitës për kontroll parlamentar, dhe duke injoruar fuqinë detyruese të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht se u informua paraprakisht dhe ishte në dijeni të një krize të thellë në Kuvendin e Shqipërisë, dekretoi shpalljen e një ligji antikushtetues që ndryshonte ligjin ekzistues të Komisioneve Hetimore, duke mos përmbushur rolin e tij si përfaqësues i unitetin kombëtar dhe për të moderuar konfliktin politik në vend.

Presidenti Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kuhtetutës, për shkak se:

 Shkelja nr. 4 – Dekretimi antikushtetues i ministres virtuale “Diella”

 Në kundërshtim me nenet 7, 45, 92, 93, 94, 95, 96, 98, 99, 102 dhe 103 të Kushtetutës, ka dekretuar emërimin e Kryeministrit, njëkohësisht duke përcaktuar edhe ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale Diella, duke i shërbyer në këtë mënyrë në kundërshtim me rolin dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese qëllimeve propagandistike të Kryeministrit Edi Rama dhe duke rrënuar seriozitetin e institucioneve kushtetuese publike.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se Dekretet e tij:

(i)      Cënojnë parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi Presidenti krijon një strukturë të re ministrore (ministrin virtual të inteligjencës artificiale), dhe i cakton Kryeministrit përgjegjësi të reja (për ngritjen dhe funksionimin e ministrit virtual);

(ii)    Cënojnë organin kushtetues të ministrit, pasi Presidenti krijon një “ministër virtual”, i cili nuk përmbush cilësitë kushtetuese të emërimit si ministër, procedurat e emërimit dhe betimit të tij, si dhe ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive;

(iii)   Shkelin në mënyrë flagrante nenet 7, 45, 92, 93, 94, 95, 96, 98, 99, 102 dhe 103 të Kushtetutës së Shqipërisë, që lidhen me kompetencat e Presidentit të Republikës, kompetencat e Kryeministrit/Këshillit të Ministrave, cilësitë e ministrit, procedurën e emërimit dhe betimit të tij, ushtrimin e kompetencave ministrore.

 Shkelja nr. 5 – Refuzimi për të ndaluar përfshirjen e trupit diplomatik në fushatë elektorale

 Në kundërshtim me nenin 1, 86 dhe 92 të Kushtetutës, përmes mosveprimit të tij, lejojë përfshirjen e paligjshme të Trupit Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në aktivitete politike/zgjedhore të partisë në pushtet, duke mundësuar pabarazinë e garës në zgjedhjet e 11 Majit dhe duke lejuar shkrirjen e shtetit me partinë në zgjedhje.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

 Shkelja nr. 6 – Ndërhyrja antikushtetuese nëpërmjet Kabinetit të tij në procesin zgjedhor

 Në kundërshtim me nenet 1, 67, 86, 92 dhe 94 të Kushtetutës ka lejuar angazhimin e Kabinetit të tij në procesin e administrimit të zgjedhjeve në fazë të mëhershme, duke injoruar përgjegjësitë kushtetuese të Presidentit të Republikës lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe duke  konsumuar një ndërhyrje flagrante antikushtetuese të Institucionit të Presidentit të Republikës në zgjedhje. Kjo ka përforcuar perceptimin e shkrirjes së shtetit dhe partisë në zgjedhje, si dhe ka rrënuar neutralitetin politik që duhet të gëzojë Institucioni i Presidentit të Republikës.

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

Shkelja nr. 7 – Përfitimet personale dhe të birit në shkelje flagrante të Kushtetutës

Në kundërshtim me nenet 11, 86, 88 dhe 89 të Kushtetutës ka krijuar një gjendje permanente konflikti interesi, që cenon konkurencën e lirë në treg, duke i dhënë përfitimin e të gjitha pokurimeve publike të Institucionit të Presidentit në fushën përkatëse kompanisë private ku është punësuar djali i tij pas emërimit të z. Bajram Begaj si President i Republikës.

 Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës, për shkak se:

 Për këtë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe Ligjit, e paprecedentë për një President Republikës, kam autorizuar ekipin ligjor të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që të përgatisë kallëzim penal, i cili do të dorëzohet brenda kësaj jave në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova, se jemi në kushtet e konsumimit të të paktën dy veprave penale, në bashkëpunim, përkatësisht “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publik” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, të parashikuara nga nenet 25, 258 dhe 260 të Kodit Penal.

 Konkluzione:

Të gjitha shkeljet që listohen në këtë kërkesë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, konsiderohen si shkelje të rënda të Kushtetutës, pasi nga aktet bashkëlidhur dhe analizuar në këtë kërkesë vërtetohet se:

Aktet e Presidentit në shkelje të parimit të shtetit të së drejtës, mosrespektimi prej tij i të drejtave dhe lirive të njeriut, veprimet në kundërshtim me rendin kushtetues, shkeljet e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, cenimi i pavarësisë funksionale të organeve të pavarura dhe atyre shtetërore, mungesa e respektimit të rendit juridik, qëndrimet e njëanshme apo të paekuilibruara, humbja e rolit neutral të tij si kreu i shtetit, që nuk përfshihet në lojën e përditshme politike, por që duhet të qëndrojë mbi palët dhe të sigurohet për funksionimin demokratik të institucioneve, veçanërisht në proceset zgjedhore, janë të gjitha veprime që ia kanë delegjitimuar Presidentit të Republikës atributet e kreut të shtetit dhe përfaqësuesit të unitetit të popullit. Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 75/2002, aktet dhe sjelljet, që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e zyrtarit kushtetues, e bëjnë të pamundur kryerjen e mëtejshme të funksioneve kushtetuese. Cilësia si kreu i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit kombëtar janë dy rolet më thelbësore që Kushtetuta i ka veshur Presidentit dhe humbja e këtyre roleve për të gjitha shkaqet që arsyetohen në këtë kërkesë nuk mund të lejojë vazhdimin e Presidentit Bajram Begaj në këtë detyrë.

Referuar edhe interpretimit që ka bërë Gjykata Kushtetuese, në vendimin nr 75/2002, sipas të cilit: “Këto shkelje marrin karakterin e rëndë të tyre lidhur ngushtë me rëndësinë e ligjit të shkelur, me pasojat e ardhura, apo që mund të vinin nga shkelja, me frekuencën e shkeljes, kohëvazhdimin e pasojave dhe të vështirësive për riparimin e tyre, si dhe me qëndrimin subjektiv që mban autori i shkeljes kundrejt saj dhe pasojës së ardhur”, nxirret konkluzioni se shkeljet e kryera nga Presidenti i Republikës, që fillojnë dhe përfundojnë te shkelja e betimit që ka bërë me dorën mbi Kushtetutë, janë të rënda, për arsye të cenimit, në radhë të parë, të pozicionit të Presidentit të Republikës, si pushtet neutral, përfaqësues i unitetit kombëtar, Kryetar i Shtetit dhe zgjidhës i krizave të sistemit, shkeljeve që lidhen me integritetin dhe barazinë e palëve në proceset zgjedhor, të shkeljeve që lidhen me pavarësinë e organeve të shtetit dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe në respektim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushtetit.

Të nderuar qytetarë,

Kushdo që mendon që kjo iniciativë është pjesë e betejës politike me kundërshtarin politik, e ka gabim. E ka gabim sepse Presidenti i Republikës nuk është kundërshtari ynë politik. Ose e thënë më mirë, Presidenti i Republikës nuk duhet të ishte kundërshtari ynë politik. Ne nuk kemi betejë politike apo garë elektorale me Presidentin e Republikës. Por, sjellja, veprimet dhe mosveprimet e Bajram Begaj nga data 24 korrik 2022, kur është betuar solemnisht se do t’i qëndrojë besnik Kushtetutës dhe ligjit, në fakt kanë dëshmuar se e vetmja besnikëri e tij ka qenë ndaj Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, duke bërë kështu që Presidenti të humbasë funksionin e tij si pushtet neutral që nuk hyn në lojën politike, por që qëndron mbi palët, përfaqësues i unitetit kombëtar dhe simbol i tij, kryetar i shtetit dhe zgjidhës i krizave të sistemit, garant i Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës.

Kërkesa jonë i shërben më së pari interesit publik, pasi synojmë të kthejmë institucionin e Presidentit të Republikës në binarët e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, në funksionin e tij si Kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Por, kjo kërkesë i shërben edhe vetë zotit Bajram Begaj, pasi i jep mundësinë të zhvishet nga barra e rëndë e detyrës më të lartë shtetërore, asaj të Presidentit të Republikës, dhe të marrë teserën e Partisë Socialiste për të vijuar angazhimin e tij politik me ndërgjegje dhe në liri të plotë. Bajram Begaj, ashtu si edhe kushdo tjetër, duhet të kuptojë që posti i Presidentit të Republikës nuk mund të shndërrohet kurrë në një post ministror, vartës të Kryeministrit, Qeverisë apo partisë në pushtet. Përkundrazi. Presidenti i Republikës është garancia kushtetuese që i tregon Parlamentit, Qeverisë, Kryeministrit, Partive Politike vijën e kuqe të paprekshmërisë së parimeve të Kushtetutës, shtetit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Faleminderit!

 

Exit mobile version