Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur që protesta e dytë kombëtare e opozitës të zhvillohet më 24 janar, ndërsa ora e saktë pritet të përcaktohet në ditët në vijim. Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, e zhvilluar sot në ambientet e selisë qendrore të partisë.
Gjatë diskutimeve, u theksua se protestat janë e vetmja rrugë përballë situatës politike në vend. Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se koha për reagim ka kaluar dhe se opozita duhet të kalojë në protesta të vazhdueshme.
“Duhet të jemi të ndershëm dhe të kthjellët: rruga e vetme për largimin e kësaj qeverie është protesta e vazhdueshme. Variantet e tjera janë iluzive. Nëse besojmë se Edi Ramën do ta rrëzojnë dosjet apo krimet e tij, gabojmë. Ai do të keqpërdorë të gjithë pushtetin për t’u mbrojtur”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, vetëm qytetarët shqiptarë mund ta largojnë kryeministrin nga pushteti. Berisha vlerësoi gjithashtu se zhvillimet e fundit janë pozitive për opozitën, duke përmendur rezoluta ndërkombëtare që, sipas tij, e krahasojnë qeverisjen e Edi Ramës me atë të presidentit venezuelian Nicolás Maduro.
“Janë shtatë rezoluta që e damkosin Edi Ramën njësoj si Maduron. Edhe në San Paolo, Venezuela ishte pika e parë e rendit të ditës dhe Shqipëria e dyta, për shkak të ngjashmërive mes Madurorit dhe Ramadurit. Kam bindjen se partnerët tanë ndërkombëtarë do të arrijnë në konkluzione të drejta për rrezikshmërinë e madhe që paraqet Edi Rama në pushtet”, tha Berisha.


