TIRANË– Pas deklaratave të trajnerit të Tiranës, Erkand Karaj, pas ndeshjes Beselidhja-Tirana, ku ai akuzoi ekipin e Beselidhjes, Federatën dhe arbitrat për pazare në dëm të ekipit të Tiranës, konkretisht duke akuzuar Beselidhjen se toleroi ndeshjen me Vllazninë dhe mundi Tiranën për ta nxjerrë nga play-off-i, Shoqata Beselidhja Eagles Basket ka dalë me një reagim.
Shoqata Besëlidhja Eagles Basket siguron se nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e pazareve ose tolerimeve të ndeshjeve, ashtu siç janë mësuar disa ekipe, ku paaftësinë e tyre për të ndërtuar dhe menaxhuar një ekip dhe për të arritur rezultate pozitive e faturojnë te ekipet e tjera. Trajnerin e Tiranës, i cili është gjithashtu trajner i ekipit kombëtar, Erkand Karaj, nuk e mbajmë mend ta kemi parë në ndonjë ndeshje të Beselidhjes për ta parë live, dhe nuk dimë ku e ka parë ndeshjen me Vllazninë”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, stafi drejtues i Besëlidhjes i bën të ditur trajnerit Erkand Karaj se, sipas llogarive matematikore, Beselidhja e kishte siguruar vendin e parë që në fazën e tretë të kampionatit. “Po të merreshim me pazare e tolerime ndeshjes në fazën e katërt, Tirana do të ishte sot e rënë nga kategoria. Nëse do të kishit analizuar 12 humbjet e Tiranës, 8 prej të cilave ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë (Teuta, Vllaznia, Apolonia dhe Kamza), pa përfshirë këtu 4 humbjet me Beselidhjen, do të kishit arritur rezultate më të mira.Qurravitje të tilla jemi mësuar të dëgjojmë nga trajneri Erkand Karaj çdo herë që humbet me Beselidhjen, por mendojmë se akuzat ndaj FSHB dhe arbitrave nuk janë të përshtatshme nga një trajner i ekipit kombëtar, thekson ekipi i Besëlidhjes që vijon ecurinë pozitive./Radar.al