Një tentativë për t’u ndaluar nga Policia përfundoi me një ndjekje dramatike në Tiranë, ku një automjet tip “Audi Q8” përplasi tre makina dhe më pas u braktis në rrugën “Moskat”. Dy persona që ndodheshin në makinë u përpoqën të largoheshin, duke hedhur në tokë një armë zjarri.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:30 në zonën e “Vasil Shantos”, kur Forcat e Posaçme “Shqiponja” i bënë shenjë ndalimi automjetit, me dyshimin se personat në bord mund të ishin të armatosur. Megjithatë, drejtuesi i automjetit nuk iu bind urdhrit, duke u larguar me shpejtësi dhe përplasur tre makina gjatë tentativës për t’u arratisur.
Pas braktisjes së automjetit, dy personat hodhën në tokë një pistoletë, e cila u sekuestrua dhe do të analizohet nga ekspertët.
Pas ndjekjes, Policia arriti të arrestojë pasagjerin, shtetasin S. S., 29 vjeç, i cili gjatë kontrollit iu gjetën një krehër dhe municion. Ndërkaq, shoferi i automjetit është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij.
Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.


