Reperi i njohur shqiptar Kleviol Ahmeti, i njohur me nofkën Cllevio, pritet të ekstradohet nesër në Shqipëri, pas rreth tre muajsh ndalim në Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sipas burimeve të Express, Cllevio ka nënshkruar dokumentet për ekstradim, duke pranuar të përballet me akuzat në Shqipëri, të cilat ai pretendon se janë ngritur nga kundërshtarët e tij. Ekstradimi është planifikuar për 8 tetorin nga Interpol, ndërsa në Tiranë pritet të zbardhen më shumë detaje mbi situatën e tij ligjore.
Cllevio ka qenë një ndër figurat më të komentuara të showbiz-it shqiptar, i njohur për deklaratat e forta, videot e shumta në rrjetet sociale dhe debatet publike. Mungesa e tij gjatë këtyre muajve ka ngritur shumë pikëpyetje mes fansave, të cilët kanë ndjekur nga afër çdo zhvillim rreth tij.
Rikthimi në Shqipëri pritet të hapë një kapitull të ri në jetën dhe karrierën e artistit, ndërsa publiku dhe mediat janë në pritje të reagimit të tij pas mbërritjes në Tiranë.

