Një injeksion i ri estetik po shkakton debate në Shtetet e Bashkuara, pasi përdor ind dhjamor të marrë nga donatorë të vdekur për të rikthyer volumin në zona të ndryshme të trupit. Produkti quhet alloClae dhe është një lloj yndyre njerëzore e përpunuar, e stabilizuar dhe e paketuar në shiringa, gati për përdorim.
Ndryshe nga mbushësit sintetikë apo silikoni, alloClae bazohet në ind dhjamor njerëzor të dhuruar, i cili i nënshtrohet një procesi ku hiqet ADN-ja e donatorit. Kompania prodhuese Tiger Aesthetics e promovon si një alternativë “të gatshme” për procedurat estetike, pa pasur nevojë që pacienti të marrë yndyrë nga trupi i tij.
Produkti u prezantua në tregun amerikan në vitin 2024 dhe fillimisht u përdor vetëm nga kirurgë plastikë të certifikuar. Më pas përdorimi iu zgjerua edhe infermierëve të specializuar dhe asistentëve mjekësorë. Sipas kompanisë, mbi 2 mijë pacientë janë trajtuar deri në vitin 2025.
Kërkesa rritet pas përdorimit të ilaçeve për dobësim
Një nga arsyet kryesore të rritjes së interesit për këtë procedurë lidhet me përdorimin masiv të ilaçeve kundër obezitetit, si semaglutide dhe tirzepatide. Këto terapi kanë ndihmuar miliona njerëz të humbin peshë, por shpesh kanë sjellë edhe humbje të volumit në zona si fytyra, gjoksi dhe të pasmet.
Mjekët thonë se shumë pacientë kërkojnë të rikthejnë pamjen e mëparshme pas dobësimit të shpejtë, duke e bërë alloClae një opsion të ri në kirurgjinë estetike.
Procedura promovohet si një ndërhyrje e shpejtë, e quajtur edhe “lunchtime boob-job”, pasi zgjat më pak se një orë dhe zakonisht nuk kërkon anestezi të përgjithshme apo shtrim në spital.
Shqetësime për sigurinë dhe efektet anësore
Megjithatë, ekspertët kanë ngritur pikëpyetje për sigurinë afatgjatë të kësaj teknologjie. Një nga komplikacionet kryesore të mundshme është nekroza e yndyrës, kur indi i injektuar nuk furnizohet siç duhet me gjak dhe fillon të dëmtohet.
Disa pacientë kanë raportuar dhimbje, ndryshim të ngjyrës së lëkurës, krijim nodujsh dhe rrjedhje lëngjesh pas procedurës. Kompania prodhuese deklaron se nuk ka raste të konfirmuara të refuzimit apo infeksioneve, por disa kirurgë kërkojnë më shumë të dhëna shkencore para se ta përdorin gjerësisht.
Debati etik: përdorimi i trupave të dhuruar për fitim
Përveç çështjeve mjekësore, alloClae ka hapur edhe një debat etik. Kritikët argumentojnë se përdorimi komercial i indeve të marra nga persona të vdekur mund të përbëjë një keqpërdorim të dhurimit altruist.
Profesori i bioetikës në Universitetin e Nju Jorkut, Arthur Caplan, e ka cilësuar këtë praktikë si një “tradhti ndaj altruizmit të donatorëve për qëllime fitimi”.
Familjet e donatorëve nuk marrin pagesë dhe formularët e pëlqimit nuk përmendin specifikisht markën alloClae, por vetëm përdorimin e indeve për qëllime komerciale.
Skepticizëm edhe nga mjekët europianë
Në Europë dhe veçanërisht në Itali, mjekët shprehen më të rezervuar. Kirurgu plastik Roy De Vita thekson se yndyra është një ind kompleks dhe se aktualisht nuk ka prova të mjaftueshme që yndyra e marrë nga një person tjetër mund të funksionojë njësoj si yndyra autologe, pra ajo e marrë nga vetë pacienti.
Sipas tij, procesi i heqjes së qelizave të donatorit për ta bërë indin të pranueshëm nga trupi ngre pyetje shkencore që ende nuk kanë marrë përgjigje.
Ndërsa debati vazhdon, alloClae shihet si një shembull i një epoke të re të kirurgjisë estetike, ku trajtimet bëhen më të shpejta dhe më të aksesueshme, por njëkohësisht hapin pyetje të reja mbi kufijtë mes teknologjisë mjekësore, trupit të njeriut dhe etikës.


