Pas largimeve të njëpasnjëshme në kuadër të ristrukturimit të administratës vendore, Bashkia Shkodër ka nisur zyrtarisht procesin e rekrutimit për pozicionet vakante. Kryetari Benet Beci ftoi të gjithë profesionistët e fushave të ndryshme që të aplikojnë për të qenë pjesë e një administrate të re, me qëllimin për të “ndërtuar së bashku Shkodrën që duam”.
“Sot dyert e bashkisë janë të hapura për të gjithë – për arkitektë, inxhinierë, ekonomistë, juristë, zjarrfikës dhe efektivë të Policisë Bashkiake,” – tha Beci në thirrjen publike.
Të interesuarit mund të aplikojnë nëpërmjet një procedure të thjeshtuar duke dërguar CV-në në adresën zyrtare: [email protected], ose duke zgjedhur pozicionin e dëshiruar përmes faqes zyrtare të bashkisë: www.bashkiashkoder.gov.al.
“Bashkia e hapur për profesionistët dhe për të gjithë ata që e duan Shkodrën,” u shpreh kryebashkiaku Beci, duke sinjalizuar një hap të ri drejt një administrate më të aftë dhe transparente.


