Pas më shumë se 150 orësh luftë me flakët, zjarri që përfshiu Landfillin e Elbasanit është vënë nën kontroll. Që prej orës 16:00 të ditës së diel, nuk është konstatuar më prani e flakëve apo tymi në zonën e prekur.
Zjarrfikësit, në bashkëpunim me strukturat vendore, ushtrinë dhe institucionet qendrore, zhvilluan një operacion të gjerë për izolimin e zjarrit që kishte përfshirë jo vetëm sipërfaqen, por edhe nënshtresat e mbetjeve.

Për të ndalur përhapjen e flakëve, e gjithë sipërfaqja e landfillit, rreth 20,000 metra katrorë, u mbulua me mbi 35,000 metër kub dhe me një shtresë që arrin deri në 2 metra trashësi në pjesën kryesore dhe nga 30 deri në 50 cm në skajet anësore. Kjo masë synon të ndërpresë furnizimin me oksigjen dhe të ndalojë përhapjen e zjarrit në thellësi.
Nën udhëzimin e Kryeministrit Edi Rama, masat u intensifikuan për të shuar zjarrin brenda fundjavës, duke garantuar një operacion të vazhdueshëm teknik dhe logjistik.
Megjithatë, incidenti pati ndikim të rëndësishëm në cilësinë e ajrit dhe mjedisin përreth, ndërsa ekspertët njoftojnë se do të jetë e nevojshme një periudhë monitorimi për të vlerësuar efektet afatgjata mjedisore dhe shëndetësore.